Home DITARI POLITIK Avokatja e Popullit, 33 mln lekë për të blerë një fuoristrade me...

Avokatja e Popullit, 33 mln lekë për të blerë një fuoristrade me “0” km

Në kulmin e protestave dhe dhunës që ushtrohet ndaj qytetarëve, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, ka menduar për luksin e saj. Në një kohë që institucioni duhet të reagojë dhe të jetë në krah të shqiptarëve, drejtuesja ka hapur një tender për blerje mjeti me kilometrazh 0.

Një paradoks i madh, pasi vendi është mbërthyer nga çmime të larta dhe protesta masive, kërkohet me ngulm që qeveria të reagojë. Por, kush janë institucionet kushtetuese që duhet të reagojë?! Natyrisht Avokati i Popullit, pasi nisur nga emri duhet të jetë në shesh.

Të bëjë rekomandime apo të jetë një zë i fortë për rritjen e çmimeve të shportës, karburantit, por, edhe të reagojë për skenat e publikuara nga mediat, ku dhjetëra qytetarë janë dhunuar barbarisht nga policia. Madje, janë arrestuar dhe shoqëruar. Policia akuzohet se ka mbajtur në qeli për 4 ditë me radhë një person me aftësi të kufizuara. Ku është Avokati i Popullit?!

Natyrisht, komisionerët dhe Avokatja e Popullit duhet të jetë në zyrë. Ose duke bërë “punë private”, pasi çdo person atje ka edhe një punë tjetër, qoftë zyrë ligjore apo zyrë kontabiliteti. Përpos këtyre, sipas dokumenteve që disponon Boldnews.al, Avokati i Popullit ka hapur tenderin me objekt “blerje automjeti për institucionin” e Avokatit të Popullit. Sipas dokumenteve, fondi është 3.333.333 lekë pa TVSH, ose me TVSH shuma shkon në rreth 40 milionë lekë të vjetra. Tenderi është hapur gjatë protestave të qytetarëve për çmimet e larta, ndërkohë që zarfet e kompanive të interesuara do të hapen në datën 23 mars 2022. Sërish, në kohë proteste dhe çmimeve të larta!

Në dokumentet shoqëruese, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca ka kërkuar një mjet tip fuoristradë 4X4, me karroceri SUV.

Të jetë me cilindratë 2.0, me naftë ndërsa me normë ndotje euro 6. Të jetë një mjet me kamio automatike, me ngjyrë gri ose e zezë, ndërsa mjeti të ketë kamera parkimi mbrapa.

Gjithashtu të ketë “asistent nisje në malore”, “timon me komanda për radio dhe bluetooth”, “sedilja e shoferit me rregullim elektrik”, “xhama të errët mbrapa”, “sensorë parkimi”. etj, etj. Gjithashtu kërkohet që mjeti pilot automatik, kompjuter bordi si dhe, pas tenderit, koha e lëvrimit të bëhet brenda 15 ditëve.

Të ketë një garanci prej 2 vitesh, ndërsa në çmim të përfshihen të gjitha detyrimet për taksat doganore, regjistrimi i automjetit, siguracioni TPL + Full Casco dhe pajisja me targa.

Jo keq Avokatja e Popullit, e cila me lekët e popullit blen makinë luksoze në kohë krize./Boldnews