Home DITARI POLITIK Basha: SPAK po inkurajon vjedhjen e parave të shqiptarëve, 20 mln euro...

Basha: SPAK po inkurajon vjedhjen e parave të shqiptarëve, 20 mln euro të tjera për inceneratorët në 2021

Kryetari i PD, Lulzim Basha në bashkëbisedimin me gazetarët ka akuzuar SPAK-un se po inkurajon vjedhjen e taksave të shqiptarëve duke mos dënuar politikanët e korruptuar.

Basha e ka bërë përgjegjës SPAK-un për faktin që shqiptarët nuk kanë marrë masa lehtësuese.

Ja çfarë bëni ju kur mbroni dhe nuk ndërshkoni hajdutët, politikanët e korruptuar. Zotërinj të SPAK-ut ju inkurajoni vjedhje, hajdutërinë e parave të shqiptarëve, ju bëheni përgjegjës që shqiptarët të mos kenë masat lehtësuese që kam tre javë e 1 ditë që i përsëris përditë, për shëndetësinë, vogëlushët dhe mësuesit, për shqiptarët e punësuar, për bizneset që s’po mbajnë dot kokën mbi ujë. Sot është koha të hapni gojën dhe të tregoni se kur keni në mendje t’i kyçni në pranga anëtarët e grupit të strukturuar kriminal për shkak të të cilëve shqiptarët janë i vetmi popull në Ballkan që nuk merr dot mbështetje financiare të kohëve të vështira nga lekët që ka paguar vetë si taksa, sepse taksat vazhdojnë të vidhen.” tha Basha.

Kryedemokrati zbuloi se vitin e ardhshëm është planifikuar që inceneratorët do të marrin 20milionë euro nga buxheti.

“Arsyeja pse i ka bërë bisht edhe sot pyetjeve që ka dy javë që nuk i përgjigjet, është zbuluar në vendimin e djeshëm të qeverisë për të prezantuar Buxhetin 2021.

Buxheti më i papërgjegjshëm në 30 vite, gënjeshtra më e madhe në 30 vite dhe tablo më e qartë e Edi Ramës dhe shqiptarëve përballë njeri- tjetrit.

Shqiptarët përballë njeriut që edhe në muajt e fundit të pushtetit vazhdon të vjedhë paratë e tyre për koncesione e PPP si ajo e inceneratorëve. Kam tabelën se sa para ka planifikuar Edi Rama t’u japë në vitin e ardhshëm.  Vetëm inceneratorët do të marrin vitin e ardhshëm 20 milionë euro, në total afro 120 milionë euro janë planifikuar t’u paguhen këtyre kontratave dhe koncesnioneve korruptive.

Kjo shumë është gjashtë herë më e lartë se plani për indeksimin e pensioneve dhe tre herë më e lartë se shuma dedikuar për gjthë familjet në nevojë dhe ndihmë ekonomike”, tha Basha.