Home BLOG Fenomeni i shëmtuar “Frrok Çupi”

Fenomeni i shëmtuar “Frrok Çupi”

Nga Egers Bardhi

Më kujtohet shumë mirë se si njëri prej pedagogëve më këshilloi që të shamngia televizionin e mbi të gjitha emisionet politike si një burim informacioni për aktualitetin, duke i cilësuar ato si ndotje akustike, kakofoni, çorba partiake, promovim antivlerash e deformim i shtyllës kurrizore të diskursit politik. Fatëkeqsisht, si shumë herë të tjera, pa dashje, hap televizorin e bëhem shikues, njëkohësisht pjesë, në mënyrë indirekte, e një emisioni politik të quajtur “Open”.

Të ftuarit po diskutonin rreth një çështje të trajtuar si fanar i Shqipërisë prej shumë kohësh, bëhet fjalë për Bashkimin Europian. Duke u marrë përherë me gjërat më të rëndësishme për vendin, siç na qënkërka “Jo-ja” kaq e pamerituar dhënë nga Gjermania, pjesëmarresit debatonin me njëri tjetrin. Deri në ato momente po mundohesha të ndihesha e qëndroja optimist, duke patur edhe njëfarë interesi për Unionin në tërësi, e në të njëjtën kohë, duke ëndërruar disi, mundohesha të kuptoja se çfarë përkufizimi kishte debati 2000 e kusur vite më parë për Platonin e filozofë të tjerë, mëndje ndritur gjerësisht të munguar në ditët tona. Një ballafaqim idesh e mendimesh që të çojnë drejt së vërtetës i thoja vetes, e gjatë kthjellimit u gjenda sërish përballë kësaj zhurme të tëmerrshme, gati gati të padurueshme, ku njëri prej panelistëve ngrinte zërin vazhdimisht. Nuk e di c’më shqetësoi më shumë, zhurma që ai bëntë kur fliste, apo zhurma që vinte prej cinizmit, intelektuales totalisht të shuar në të dhe folklorikes tejet të theksuar të zhargonit të tij mendor e shpirtëror.

Nuk dua ta bëj të mistershëm e të mundimshëm për ju zbulimin e këtij personazhi, sepse kjo do ishte nderuese për të. E kam fjalën për Frrok Çupin, një ish-spiun komunist “i dashuruar” mbas demokracisë. Ajo çka zhurmoi më së shumti tek unë ishte retorika dhe mungesa e theksuar e edukatës në përballjen e tij me një prej panelistëve të tjerë, në këtë rast Grida Dumën. Me etiketime si “vajzë simpatike që duhet të thotë gjëra simpatike për Europën”, “duhet të jesh grua normale, e mos të bësh ato që bën ti” dhe plot provokime të tjera të cilat janë fyese kundrejt një gruaje, cilado qoftë ajo, dhe aspak të denja në një debat mes analistësh, intelektualësh e profesionistësh.

Ka në këtë vend, ashtu si në çdo vend tjetër tuhafë, harbutë, injorantë, të pamoralshëm, fodullë, por askund si këtu këtyre “çuditësirave” nuk u jepet kohë televizive, e kësisoj shëndrrohen në uzurpatorë të çdo studioje televizive, si pinjollë të vlerave, moralit, analizës e mendimit kritik. Po mendoja gjatë atij momenti, në neveri e sipër dua të them, pavarësisht se kjo e fundit është një fjalë që unë nuk e përdor, se Frrokun e kam parë kudo, duke folur për çdo gjë, nga politika e ndoshta deri tek seksi i sigurtë dhe sërisht kam marrë të njëjtat ndjesi paditurie dhe boshllëku, të cilat them se lexohen në të edhe estetikisht.

Mendoj se ka një zymtësi dhe malinjitet që ai e reflekton qartë në portret. Po po, paragjykim me vetëdije të plotë, madje duke shpresuar që të jetë paragjykim. Frroku e kushdo tjetër i ngjashëm me të, pasi fenomeni i shëmtuar “Frrok Çupi” është i kudogjendur, duhet të kuptojë se politika nuk bëhet vetëm nga burrat. Frroku e kushdo i ngjashëm me të duhet të kuptojë se politika nuk është dasi e gjinive më të përshtatshme për t’u marrë me të, por bashkim i mëndjeve të cilat sjellin progress dhe impenjohen e përgatiten seriozisht për tërë format e përmbajtjet e informacioneve që do përçojnë tek publiku, tek votuesi, tek sovrani.

Frroku e kushdo i ngjashëm me të duhet të kuptojë se thinjat nuk duhen trajtuar si mençuri. Me një ndjesi të nervozuar, e pështirosje nga ky individ që shfaqet në televizione e kushdo mund ta dëgjojë, agravimi im veçse rritej për fenomenin e shtuar “Frrok Çupi” në televizione, në politikë, në institucione të rëndësishme.

Burra që mendojnë se politika është vetëm për ta dhe gratë e vajzat që tentojnë të merren me të e kanë hak ofendimin, mosrespektin e intidimin. Në momentin që e mbylla televizorin i thashë Frrokut se i vdekuri nuk ndien dhembje por atë e ndiejnë njerëzit e tjerë, e njëtja gjë ndodh edhe me budallain.