Home BLOG Hematomat e shoqërisë shqiptare

Hematomat e shoqërisë shqiptare

Nga Haris Vongli

Ajo çka ndodh brenda një familjeje, apo e thënë në formë tjetër, në një plan më të gjërë, brenda një komuniteti a shoqërie të tërë, nuk është e dukshme për sytë e shumicës. Ndodh atje brenda, ngjizet e zhvillohet aty përmbajtja, lënda, si mëndërisht ashtu edhe shpirtërisht. Historiku genetik i yni është jo më pak i rëndësishëm gjithsesi. Pra, ne nuk shohim dot se çfarë ndodh brenda një individi, familjeje, komuniteti e më tej.

Ajo çka ne shohim, ndiejmë dhe vuajmë si pasojë, është vetë ndodhia kur pamja në fjalë merr përmasa mediatike. Ngjarja e cila nipi përdhunon e torturon gjyshen e tij 90 vjeçare, të katandisur si mos më keq, ka përmasa më të thella dhe shqetësuese se pamjet tronditëse, jo vetëm për qytetin e Lushnjës por për mbarë shoqërinë shqiptare. Nuk është thjesht turp. Nuk është as e paprecedent. Është monstruoze; është instinkt kafshëror, një sjellje e ekzekutuar prej njeriut, e cila ka nevojë për analizë e reflektim mbarëkombëtar. Vjen si pasojë e një frustrimi jo vetëm të një individi me precedent penal, por të një shoqërie të paemancipuar, të paditur, të frikësuar dhe të izoluar nga dija e normat më bazike të qytetarisë – izolim i mbartur gjithashtu nga regjimi komunist, i cili vazhdon të ekzistojë ende sot, por në formë disi më të hapur. Është absolutisht edhe më tronditëse, deri shokuese, nëse nuk luftohen shkaqet e kësaj masakre njerëzore, masakre mbi dinjitetin, mbi vetë ekzistencën.

Shoqëria jonë është një shoqëri e ekstremeve e cila nuk e njeh sensin e masës, nuk njeh shtetin ligjor e jo më shtetin e së drejtës. Një shoqëri e cila vetëm ka dëgjuar për të drejtat dhe liritë themelore të individit, por nuk i kupton ato e jo më t’i respektojë apo protestojë fanatikisht në mbrojtje të tyre. Një shoqëri e ndrydhur e cila nuk e lufton problematikën që në gjenezë të saj. Shqiptarët dhunohen çdo ditë, në forma nga më të ndryshmet, dhe nuk reagojnë. Shoqëria shqiptare vidhet e varfërohet dhe nuk reagon. Shfrytëzohet, manipulohet e shfrenohet dhe nuk reagon. I dhunohet dija, arti, kultura e kultet e tyre dhe nuk reagon. Shoqërisë tonë i blihet fjala e lirë dhe gati gati mendimi dhe prapë nuk reagon. Vajzat, gratë, gjyshet dhunohen e përdhunohen përditë dhe askush nuk bën asgjë, thuajse askush nuk reagon.

Çka shoqëria shqiptare vuan sot nis që në familje, në edukimin aty brenda, në normat dhe vlerat që domosdoshmërisht formësojnë mentalitetin që nga individi e gjer tek shoqëria si një e tërë. Që të reagosh ndaj padrejtësive dhe krimeve të këtij lloji duhet së pari të besosh tek ajo kauzë për të cilën gjithësecili nga ne reagon.