Home KRYESORE Në pritje të dhjetorit të tretë…

Në pritje të dhjetorit të tretë…

Nga Enrik Braho

Pak ditë më parë, gjatë prezantimit të një partie të re politike, një deputete e Kuvendit të Shqipërisë teksa lexonte në ekrane gjigande fjalimin e saj, përmendi 12 herë fjalën “shpresë” në 5 minuta e 26 sekonda. Asaj i ishte ngulur në mendje se ishte një ndër shkëndijat e pakta të shpresës të mbetur në këtë vend, edhe pse (mendimi im personal) kritikët i ka shumë herë më të shumtë në numër sesa mbështetësit. Unë personalisht nuk shoh aspak shpresë te ajo dhe as te partia e saj. Ishte data 28 nëntor, një ditë historike dhe festë zyrtare, por ndoshta, ligjvënësja duhet të priste dhe disa ditë që t’i përshtatej fjalimi, pasi shkëndijat e shpresës i përkasin muajit pasardhës.

Bëhet fjalë për Dhjetorin, që për ne shqiptarët duhet të shpallet si muaj i shenjtë, pasi ka ngjallur dy herë shpresën në këtë vend. Në Lëvizjen Studentore të ’90-tës dhe atë të vitit 2018-ë. Jam i bindur se shumë shpejt do të na vijë dhe një “dhjetor i tretë”.

Rini, shpresë dhe zhgënjim do të ishin tre fjalët kyçe që unë do të përshkruaja dy lëvizjet studentore në Shqipëri. Dhjetori i ’90-tës ishte një skenar i konceptuar nga Komiteti Qendror i PPSH-së dhe i zbatuar nga Sigurimi i Shtetit, për të shpëtuar diktaturën komuniste nga një shpërbërje e turpshme. Ndërsa në dhjetorin e 2018-tës, Komitetet Qendrore të partive kontribuan masivisht që ajo lëvizje të shuhej. Në Lëvizjen e parë Studentore do të duheshin disa vite që zhgënjimi të ndihej në fytyrat e shqiptarëve, ndërsa te i dyti, vetëm disa muaj.

Gjithsesi, unë jam krenar që isha një mes mijëra zërave që gumëzhinin te “Rruga e Durrësit” dy vite më parë dhe që kam se çfarë t’u tregoj bijëve të mi. Jam krenar që isha një shkëndijë e vogël mes dhjetra mijëra të tjerëve që ndezën sadopak shpresën në këtë vend që po shuhej nga pak çdo ditë. Jam krenar që kam dhënë kontribut në një ngjarje historike që ishte për të mirën time dhe bashkëkombësave të mi.

Më ringjallen sërish ato emocione kur mes njerëzish dëgjoj të flitet sërish për atë protestë. Dy-tre javë më parë, teksa po udhëtoja me një nga urbanet e kryeqytetit, një burrë që ishte në prag për t’u future te mosha e tretë, mu drejtua duke më pyetur “Student je more bir…?”. Pasi i thashë se kisha pak kohë që e kisha mbyllur kapitullin e universitetit, por jo se nuk do i rikthehesha sërish një ditë, filluam të flisnim për politikën dhe lëvizjet e famshme të dhjetorit. Ajo bisedë e shkurtër u mbyll me fjalet e tij: “Ah sikur të kishte vazhduar ajo protestë siç u nis, merrte fund kjo politikë…” dhe vazhdoi më tej, “Në u bëftë një ditë ky vend, do bëhet vetëm nga studentët, se ne (duke iu referuar moshës së tij) as nuk ngrihemi më dhe as na beson kush…”.

Fjalët e tij i pohova në heshtje dhe ndihesha pak sa i turpëruar me veten time që atë lëvizje nuk e çuam deri në fund ashtu siç e meritonte Shqipëria dhe shqiptarët. Por, jam i bindur se ai dhjetor i tretë që citova më lart, do të vijë një ditë dhe ajo ditë nuk do të jetë shumë e largët.  Po ashtu, jam i bindur dhe se nuk do të ketë më zhgënjim, por do të jetë Lëvizja e Vërtetë e Studentëve që do ta shkundin nga themelet këtë vend. Ky vend do bëhet nga studentët dhe pikë!

Deri sa të vijë ajo ditë, do e dëgjojmë ende nga një pjesë e mirë e shqiptarëve fjalët: “E ç’të votoj? Asgjë nuk ndryshon!”.