Home KRYESORE Shtëpia e Bardhë publikon programin politik të Trump-it

Shtëpia e Bardhë publikon programin politik të Trump-it

Donald Trump, 74 vjec, synon të marrë një mandat të dytë presidencial. Kërkon të mbledhë votat e zonave rurale, të supremacisë së bardhë, pro dhe të elektoratit afro-amerikan. Presidenti prezantohet si kandidati “Ligj dhe Rend”. Por cili është programi elektoral i Trump, që është publikuar orët e fundit në faqen zyrtare në internet të Shtëpisë së Bardhë, raporton RaiNews.

Problemi më urgjent që presidenti i ardhshëm duhet të përballojë është ai reduktimit të pasojave të pandemisë në ekonomi dhe tek qytetarët.

Trump ka zgjedhur një qasje për këtë temë e cila ka shkaktuar shumë kritike. Pranoi se ka minimizuar rrezikshmërinë e virusit, por ruan një sjellje të pavendosur për përdorimin e maskave. Vijon të shprehet kundër vendimit për t’i mbajtur dhe pse u infektua me Covid-19 duke ia lënë në dorë secilit shtet vendimin, se si dhe kur të përdoren.

Por njëkohësisht i bën apel mbështetësve të tij që të përdorin mbrojtje individuale. Për sa i përket testeve individuale, kreu i Shtëpisë së Bardhë ia delegon secilit shtet, duke u ankuar se shifrat negative të infektimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pasojë e një numri të tepruar testimesh. Presidenti në më shumë se një rast ka kundërshtuar dhe virologun Anthony Fauci, kreun e grupit të punës së Shtëpisë së Bardhë për emergjencën shëndetësore të shkaktuar nga Covid-19.

Gjatë presidencës së tij, Donald Trump përjashtoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga marrëveshja e Parisit e vitit 2015. Në këtë mënyrë vendi nuk është më në krye të luftës globale kundër ndryshimeve klimaterike. Trump emëroi në krye të agjencisë amerikane për mbrojtjen e ambientit, një njeri i cili nuk beson se ndryshimet klimaterike janë një prioritet absolut, transmeton abcnewsa.al

Ndër të tjera, administrata Trump inkurajoi hapjen e një zone në Alaskë për kërkim hidrokarburesh. Në rast se do të zgjidhej sërish, presidenti aktual amerikan do të vazhdonte në këtë rrugë për sa i përket luftës kundër ndryshimeve klimaterike.

Rezultati kryesor në politikat ekonomike të presidencës së Trump ishte reduktimi i taksave në vitin 2017, duke ulur në mënyrë drastike taksat për sipërmarrjet dhe qytetarët.

Gjithsesi ky vendim shkaktoi një rritje të gropës në buxhetin federal – rreth 3 trilion dollarë në vitin 2019. E gjithë kjo rrëzoi premtimin e presidentit në fushatë elektorale për të reduktuar deficitin dhe për eliminimin e borxhit kombëtar. Donald Trump këmbëngul të vijojë në këtë mënyrë, për aq kohë se reduktimi i taksave kontribuoi në një rritje rekord të tregut të aksioneve. Ndër të tjera niveli i papunësisë më këto katër vitet e fundit ka mbetur i ulët.

Presidenti kundërshton globalizimin dhe shkëmbimet tregtare. Për këtë arsye ka ndërmarrë luftëra tregtare me vende që ai i cilëson si armiq, duke imponuar taksa për mallrat që vijnë si për shembull nga Kina dhe Bashkimi Europian. Në fund Trump preferon marrëveshje tregtare dy palëshe; në fakt ka firmosur shumë të tilla me Japoninë, Kanadanë dhe Meksikën.

Administrata Trump ka premtuar se do të riparojë kredinë e borxheve studentore. Shtëpia e Bardhë e ka kthyer në automatike faljen e kredive për veteranët. Por njëkohësisht, në mënyrë të vazhdueshme propozon mbylljen e programit për faljen e kredive studentore për nëpunësit publikë.

Gjithashtu presidenti Trump ka fshirë disa nga politikat e administratës Obama në lidhje me arsimin. Mes tyre janë dhe promovimi i diversitetit racial dhe garantimi i mbrojtjes për studentët transgjinorë në shkollat publike. Ai mbështet rregullin e ri të sekretarit për arsimin DeVos, i cili bën shumë më të komplikuara procedurat e denoncimeve për ata që pësojnë abuzime seksuale në shkolla, transmeton abcnews.al

Pas shumë shkëmbimesh zjarri masive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump premtoi se do të veprojë kundër dhunës së armatosur, por ishte shumë i paqartë për detajet. Ai këmbëngul se këto ngjarje ndodhin për shkak të shëndetit mendor dhe urrejtjes së autorit. Në fund presidenti ndaloi blerjen e mjeteve që transformojnë pushkët në gjysmë automatike.

Për sa i përket shëndetësisë, Trump ka kërcënuar me daljen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, të cilën e akuzon se nuk është në sinkron me situatat që krijohen.

Në 12 tetor ai firmosi një urdhër ekzekutiv për fshirjen dhe zëvendësimin e reformës shëndetësore të njohur dhe si Obamacare. Presidenti iu ka kërkuar prodhuesve të ilaçeve që të përfshijnë çmimet e tyre në reklamat televizive, por ky vendim u anulua nga një gjykatës federal në verën e 2019-ës.

Në përpjekje për të reduktuar shpenzimet e shëndetësisë ai fuqizoj një rregull i cili i kërkon spitaleve të publikojnë tarifat e negociuara privatisht me autoritetet shëndetësore. Ky vendim do të hyjë në fuqi që nga 1 janari 2021. Por një koalicion i spitaleve më kryesore në vend kanë ndërmarrë një veprim ligjor kundër kësaj iniciative të Shtëpisë së Bardhë.

Kur flitet për emigracionin, presidenti ka vendosur të vazhdojë me politikën e tolerancës zero. Propozoi ndërtimin e murit në kufi me Meksikën. Vendosi ndalimin e udhëtimeve për myslimanët në territorin amerikan. Me politikën e tij të tolerancës zero shkaktoi ndarjen e mijëra fëmijëve nga prindërit e tyre, që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme nga kufiri me Meksikën.

Donald Trump do të donte dhe anulimin e projektit DACA, i cili mbron të rinjtë të cilët hunë në mënyrë jo të ligjshme në vend, ndërsa ishin ende të mitur. Gjykata e lartë e ka refuzuar kërkesën e tij. Trump do të aplikojë një proces nënshtetësie bazuar tek meritat. Ai propozon në program një sistem emigracioni duke kufizuar bashkimet familjare./abcnews.al